Regjistrimi në regjistrat civil (fitimi) & lirimi nga shtetësia

Shtetësia është një lidhje e ngushtë juridike midis shtetit dhe një personi nga e cila dalin të drejta dhe detyrime të ndërsjellëta. Në Republikën e Kosovës, fitimi, humbja dhe rifitimi i shtetësisë rregullohet me Ligjin Nr. 04/L-215 për Shtetësinë e Kosovës. Ne ofrojmë shërbime juridike dhe asistencë në të gjitha këto procese dhe ia mundësojmë klientëve tanë t’i gëzojnë të drejtat që i takojnë dhe t’i ndjekin interesat e tyre.

Pjesa më e madhe e Diasporës Kosovare duhet të ri-regjistrohet në Kosovë në mënyrë që t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre pasi që një numër i madh i regjistrave të vjetër të lindjes janë shkatërruar apo vjedhur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Firma jonë ofron asistencë ligjore për pjesëtarët e diasporës të cilët dëshirojnë të fitojnë shtetësinë e Kosovës.

Ligji në Kosovë ia lejon fitimin e shtetësisë edhe personave të lindur jashtë Kosovës. Për shembull, në bazë të origjinës, kur njëri nga prindërit e personit i cili dëshiron ta fitojë shtetësinë e ka shtetësinë e Kosovës, kur njëri fëmijë është i adoptuar nga prindër kosovar, kur bashkëshorti/ja natyralizohet etj.

Një mënyrë e thjeshtë e fitimit të shtetësisë së Kosovës është fitimi i saj përmes vërtetimit të posedimit të shtetësisë Jugosllave dhe vendbanimit në Kosovë në vitin 1998. Çdokush që ka qenë shtetas i Republikës Federative Jugosllave më 1 Janar 1998 dhe ka pasur vendbanim në Kosovë, mund të regjistrohet në regjistrin e shtetësisë pavarësisht vendbanimit aktual apo shtetësisë aktuale. Po ashtu, duke u bazuar në këtë parim, pasardhësit e drejtëpërdrejtë të këtyre shtetasve e kanë të drejtën për fitimin e shtetësisë Kosovare.

Lirimi nga shtetësia

Kosova ia lejon shtetasve të saj shtetësinë e shumëfishtë. Kjo është e përcaktuar shprehimisht në Ligjin e Shtetësisë i cili thotë se shtetasi i Kosovës mund të jetë edhe shtetas i një ose më shumë shteteve tjera. Fatkeqësisht, kjo praktikë nuk e zbatojnë tërë shtetet e jashtme dhe kjo i shtynë shtetasit e Kosovës të cilët dëshirojnë të marrin një shtetësi tjetër të heqin dorë nga shtetësia kosovare.

Ligji për Shtetësinë përcakton se shtetësia mund të humbet me anë të lirimit nga shtetësia, privimit nga shtetësia apo në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Shtetasi i Republikës së Kosovës e humb shtetësinë në bazë të kërkesës së tij nëse i plotëson kushtet e parapara me ligj. Ne i ofrojmë asistencë juridike klientëve dhe kompletim të të gjithë dokumentacionit për lirim nga shtetësia Kosovës. Nga ta kërkohet vetëm autorizimi dhe nuk është e nevojshme prania e tyre në Kosovë.